Ditën e enjtë pritet të konstituohet grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, mes tyre edhe ato që janë të rëndësishmë për rrugën drejt BE. Ky grup do të përbëhet nga 6 anëtarë, tre nga mazhoranca dhe 3 nga opozita.
Anëtarë nga PD do të jenë Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho teksa grupi i Bashës refuzoi ofertën e Gazment Bardhit që anëtari i tretë të propozohej nga ata. Në këto kushte, pritet që propozimi i PD, të jetë Dhurata Çupi.
Nga mazhoranca, anëtarë do të jenë Damian GJiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.
Grupi pritet të marrë vendime me konsensus për ligje që kërkojnë 84 vota, dhe erdhi si rezultat i dialogut që u arrit mes PD dhe PS për ngritjen e komisioneve hetimore dhe rikthimin në normalitet të Kuvendit.
Mësohet se në mbledhjen e parë të këtij grupi dialogu, pritet të diskutohet edhe kalendari i punës së tyre, ndërsa dokumenti i parë me të cilin do të nisin diskutimet lidhen me amnistinë Penale.