Aktivistja suedeze Greta Thunberg i është kundërpërgjigjur Presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit e përshkroi atë si një person “të çuditshëm” dhe “të zemëruar” për përfshirjen e saj në një mision për ndihma humanitare në Gaza.
“Për të qenë e sinqertë, mendoj se botës i duhen shumë më tepër gra të reja të zemëruara,” tha Thunberg sapo mbërriti në Paris, pasi u deportua nga Izraeli.
Ajo ishte pjesë e një misioni të organizuar nga koalicioni pro-palestinez “Freedom Flotilla Coalition”, i cili u nis nga Italia më 1 qershor për të dërguar ndihma humanitare për civilët palestinezë në Gaza, rajon i përballur me krizë urie për shkak të luftës së vazhdueshme midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Trump reagoi duke e quajtur Thunberg një person “të çuditshëm” dhe “të zemëruar”, duke sugjeruar madje që ajo të ndjekë kurse për menaxhimin e zemërimit.
Pas mbërritjes në aeroportin Charles de Gaulle në Paris, Thunberg deklaroi se “Izraeli kreu një akt të paligjshëm duke na rrëmbyer në ujërat ndërkombëtare”. Ajo gjithashtu kritikoi heshtjen e qeverive të Bashkimit Europian për misionin dhe i akuzoi për bashkëpunim në vrasjen e palestinezëve përmes dërgimit të ndihmës ushtarake për Izraelin.
Thunberg tha se ishte shumë e shqetësuar për anëtarët e tjerë të ekuipazhit që mbetën në paraburgim nga autoritetet izraelite. “Na kanë ardhur mesazhe të ndryshme që lënë të kuptohet se nuk do ta kenë të lehtë,” u shpreh ajo.
Izraeli e quajti anijen ku ndodhej Thunberg si “jahti i selfieve”, ndërsa u përpoq të deportojë të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin pas ndërhyrjes në det të hapur.
Kjo nuk është përplasja e parë mes Thunberg dhe Trump. Në shtator të vitit 2019, gjatë një konference në OKB, Trump e ironizoi Thunberg-in, atëherë 16 vjeç, duke e përshkruar si “një vajzë shumë të lumtur” pas fjalimit të saj ku akuzonte liderët botërorë se po “dështojnë” brezin e saj.
Pas shpalljes së saj si “Personi i Vitit” nga revista Time në dhjetor 2019, Trump e sulmoi sërish duke sugjeruar që Thunberg të “punojë mbi problemet e saj të zemërimit”.