Google i thotë “jo” kërkesës së BE-së për t’u copëzuar

Google ka refuzuar kërkesën e Komisionit Evropian për t’u shpërbërë, pavarësisht presionit të shtuar pas gjobës rekord prej 2.95 miliardë eurosh për shkelje të konkurrencës në sektorin e reklamave online.

Kompania amerikane i dorëzoi Brukselit një paketë ndryshimesh teknike dhe produktesh që synojnë hapjen e sistemeve të saj të reklamimit për rivalët. Por propozimi nuk përfshin masa strukturore, si shitja e aseteve apo ndarja e biznesit, pikërisht ajo që BE-ja e ka konsideruar të nevojshme për të shmangur konfliktin e interesit që Google ka duke kontrolluar pjesën më të madhe të infrastrukturës së reklamimit digjital.

Komisioni konfirmoi se ka marrë propozimin dhe po e analizon. Ndërkohë, botuesit evropianë reaguan ashpër. “Pa ndryshime strukturore, Google do të vazhdojë të kontrollojë mjetet dhe rrjedhën e të dhënave,” tha Angela Mills Wade nga Këshilli Evropian i Botuesve.

Google pretendon se propozimet e reja do të zgjidhin shqetësimet e BE-së “pa një copëzim të dëmshëm” që, sipas kompanisë, do të ndikonte tek mijëra botues dhe reklamues evropianë.

Ndërkohë, Google po përballet edhe me hetime të reja në kuadër të Aktit të Tregjeve Digjitale, përfshirë një procedurë të hapur të enjten për mënyrën se si kompania ul renditjen e përmbajtjeve që konsiderohen “spam” në faqet e lajmeve.

Hetimet antitrust ndaj Google janë intensifikuar si në SHBA, ashtu edhe në BE. Komisioni Evropian ka theksuar se zgjidhja e vetme e qëndrueshme do të ishte që Google të heqë dorë nga kontrolli i mjeteve të saj kryesore të ad tech-ut — diçka që kompania ka refuzuar ta bëjë.

Kritikët thonë se ndryshimet e propozuara janë të pamjaftueshme. “Zgjidhja e vetme e besueshme është detyrimi për shitjen e një pjese të biznesit të reklamave të Google,” u shpreh Max von Thun nga Open Markets Institute, duke shtuar se “përpjekjet e mëparshme me masa sjellore kanë dështuar.”