Goditen dy raste të shitjes së drogës, dy të arrestuar në Vlorë

Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi u kapën me doza kanabis dhe kokaine gati për shitje.

Gjatë kontrollit nga uniformat blu, 18 vjeçari E. A. u kap me disa doza kokainë që dyshohet se i posedonte për t’i shitur në Sarandë, ndërsa A. R., 33 vjeç, u arrestua me disa doza kanabis, që dyshohet se ishin destinuar për t’u shitur në Vlorë dhe zona përreth.

Të dy shtetasit u arrestuan dhe materialet procedurale iu kaluan prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/Goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza. Kapën në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas që posedonin kokainë dhe kanabis, me qëllim shitjen në Vlorë dhe në Sarandë. Sekuestrohen dozat e lëndëve narkotike. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me komisariatin e Policisë Delvinë dhe Forcën e Posaçme Shqiponja, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan goditjen e 2 rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Si rezultat, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: • E. A., 18 vjeç, banues në fshatin Çukë, Sarandë; • A. R., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit E. A., disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në Sarandë, ndërsa shtetasit A. R. i gjetën disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se i posedonte për t’i shitur në zona të ndryshme të Vlorës. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.