Sot u mbajt seanca e parë në Gjykatën e Tiranës për njohjen e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbledhur nga Lulzim Basha, të miratuara më 2 shtator të këtij viti.
Gjyqtari Niko Rrapi ka pranuar që të njihen si palë në proces edhe përfaqësuesit ligjorë të Gazment Bardhit dhe “Rithemelimit” të udhëhequr nga Sali Berisha, pasi sipas tij, ata kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi.
“Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta.
Në lidhje me kërkesën e PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagrat që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë.
Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit Kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.
Në lidhje me palën e tretë, PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj. Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD. Duke patur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit”, u shpreh gjykatësi.
Përfaqësues të Partisë Demokratike në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.
Gjykata vendosi që seanca e radhës do të zhvillohet në datën 25 tetor në orën 10:00, pasi Çlirim Gjata kërkoi kohë për të bërë prokurorën e përfaqësimit konform ligjit.