Gjykata shtyn vendimin për Belerin, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda

 Eshtë lënë për në datën 17 tetor seanca e gjyqit ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit në GJKKO. 

Fredi Beleri doli sot para Gjykatës së Posaçme në seancën e parë të shqyrtimit në themel të akuzës ndaj tij.

Përmes avokatëve, Beleri kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, për shkak të papajtueshmërive ligjore.

Po ashtu, Beleri kërkoi pavlefshmëri të akteve të dërgimit të dosjes në gjykim, aktin e regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Vlorës, si edhe autorizimet për përgjime audio e video.

Edhe vetë anëtarja Deda kishte paraqitur dorëheqje, por kërkesa ende nuk ishte shqyrtuar nga kryetaja e gjykatës. Kërkesë për pavlefshmëri të të gjitha akteve të dosjes u kërkua edhe nga avokati i të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.