Një histori e pazakontë është zbuluar në orët e fundit në vendin tonë.
Një 54-vjeçar shqiptar, i arrestuar në SHBA me qëllim deportimi drejt vendit tonë kishte arritur në vitin 2013 që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
Bëhet fjalë për shtetasin Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç.
Ky i fundit ishte dënuar nga gjykata e Salernos në Itali me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Po ashtu ai do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me dy agjencitë amerikane, nëpërmjet informacioneve të shkëmbyera, kanë arritur të identifikojnë, të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin shqiptar Leonard Mnela, në Miçigan, Shtetet e Bashkuara, dhe kane bërë të mundur deportimin e tij në Shqipëri.
Ndërkohë do të vazhdojë puna, në bashkëpunim me prokurorinë, për hetimin e thelluar të veprimtarive kriminale të kryera nga ky shtetas.