Gjykata e Beogradit ka liruar Milan Radoiçiç, kreun e grupit terrorist që vrau efektivin Afrim Bunjaku disa ditë më parë në Kosovë.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiçin, pas marrjes në pyetje të këtij të fundit.
Edhe pse prokuroria kërkoi paraburgim me arsyetimin e rrezikut të arratisjes, gjykata vendosi vetëm që të mos e lejojë Radoiçiçin të shkojë në Kosovë. Radoiçiç u arrestua ditën e djeshme pas kontrolleve të policisë serbe në banesat dhe lokalet në pronësi të tij.
“Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin Millan Radoiçiçin për arsyet e caktimit të paraburgimit, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për burgosjen e tij, duke iu referuar nenin 211 paragrafi 1 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk rrezikohet që ai të largohet nga vendi”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Radoiçiç mori përgjegjësinë e plotë për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
“Po e informoj opinionin se së bashku me bashkatdhetarët e mi më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës dhe Metohisë në rajonin e Banjskës”, tha Radoiçiç në një deklaratë që e lexoi avokati i tij.