Gjykata liroi nga qelia Vangjush Dakon, Rithemelimi tregon prapaskenat: Zbatoi kodin e heshtjes, i qëndroi besnik partisë dhe Ramës

Rithemelimi ka reaguar në lidhje me lirimin nga qelia të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako i akuzuar për “shpërdorim detyre” në dy raste.

Ish-deputeti Luçiano Boçi, tha se Dako u lirua pasi sipas tij, zbatoi kodin e heshtjes dhe jo se i kishin përfunduar afatet e paraburgimit, sic pretendon GJKKO.

Në deklaratën e tij, Boçi theksoi se ndaj tij u caktua “arrest shtëpie”, jo se mungonin provat por se i qëndroi besnik partisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Vangjush Dakos masën “arrest shtëpie”, pasi kishim mbaruar afatet e paraburgimit ndërsa ai do të jetë 24 orë nën mbikëqyrje policore.

Deklarata e Luçiano Boçit: 

Lirimi i Vangjush Dakos, bosit të mafies, betonizuesit të Durrësit dhe serial-killerit të zgjedhjeve në këtë qark, është shenja e radhës se në Shqipëri nuk ka ligj, por drejtësi me porosi.

Partia Demokratike e ka vënë e para alarmin e keqpërdorimit e Spakut dhe gjykatave te drejtësisë se re si vegla të verbëta në duart e partisë së krimit dhe do të jetë e fundit që do të heshtë përballë kapjes së sistemit të drejtësisë nga Edi Rama.

Konvaleshenca e Dakos nga suita e paraburgimit, e ngritur posaçërisht për të dhe zyrtarët e tjerë socialistë, në kushtet e shtëpisë, është sinjali që Edi Rama u dërgon bashkëpunëtorëve: me pak harxhe, dhe po të po ti përmbahet kodit të Omertas, dmth; te qepni gojën, do t’ia hidhni!

Dako nuk u lirua se e lejoi tejkalimi i procedurave, por sepse zbatoi ligjin e Omerta-s, të heshtjes, së Edi Ramës.

Dako nuk u akuzua për krimet e tij të rënda që rëndonin mbi të si betonizimi i Durrësit dhe krimi monstruoz elektoral të mirëdokumentuar, por për shtesë kati dhe ‘shpërdorim detyre’.

Ai nuk u dërgua në shtëpi se nuk ka prova, por se ai e dha provën e besnikërisë ndaj partisë dhe Edit.

Besnikëria, e cila bazohet mbi parimin: lejojeni drejtësinë e re tone të bëjë sikur po na godet, që nëpërmjet saj të godasim kundërshtarët politikë dhe të jemi në pushtet sa të duam vetë.

Vangjush Dako është fytyra e pushtetit që Edi Rama ka ndërtuar në Shqipëri që në kohën kur drejtonte bashkinë e Tiranës.

Ai nuk mund të dënohet sepse është mik i Ramës, bashkëpunëtor i tij, por mbi të gjitha në bashkëfajësi dhe bashkëdijeni me të.

Edi Rama nuk lejon ta dënojnë Gjushin.

Ai, disa muaj në paraburgim, si në kohën e etërve komunistë, ia konsideron si ‘kuadro në qarkullim’.

Ndërkohë që kreu i vjedhjes së zgjedhjeve dhe betonizimit të Dyrrahut antik dërgohet në shtëpi, lideri i opozitës Sali Berisha, pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, mbahet në izolim.

Shtyrja e seancës së djeshme për masën e Sali Berishës, me pretekstin se ishte e zënë me seancë tjetër, nga gjyqtarja me dy identitete Gjoka-Maneku, dhe nguti për të liruar Dakon, tregon se gjyqtarët e Ramës, as nuk fshihen më në animin e tyre të qartë politik.

Njerëz të tillë do të bien bashkë me padronin e tyre. Betejë pa kthim! Mosbindje civile! O sot o kurrë! është përgjigja jonë.