Pasi u ekstradua nga Dubai tre ditë më parë, Florenc Çapjas i është komunikuar nga Gjykata e Posaçme masa e sigurisë “arrest në burg”
I ndodhur në arrati, Florenc Çapja u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme, si një nga porositësit e vrasjes së Nezir e Gentian Beqirit ( babë e bir).
Kjo ngjarje kriminale ka ndodhur në vitin 2012, në qytetin e Elbasanit.
Mediat raportojnë se Çapja ka deklaruar në seancë se nuk qenë asnjëherë përdorues i platformës së enkriptuar të komunikimit SKY ECC.
Madje ai ka pohuar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej.
Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjes, po ashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e dyfishtë të babë e bir. Sipas SPAK, Florenc e Ardian Çapja ishin porositës të vrasjes së Gentian Beqirit, pas dyshimeve se ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të Ardianit, Sokol Çapja.
Për këtë krim po me burgim të përjetshëm u dënua edhe i akuzuari si ekzekutor, Olsi Leku, emrat e të cilëve dolën nga i penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi.
Në janar të vitit 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro 10 pasuri të Florenc Çapjes të ndodhura në Pogradec e në Elbasan, mes të cilave 4 sipërfaqe trualli, dy godina banimi, një bar-kafe dhe një automjet Audi.
Dubai është konsideruar si “strehë” e sigurt për bosët e krimit, por me veprimet e fundit të SPAK, duket që kjo rehati është goditur tashmë.
Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain, ndërsa këtë problematikë e ka artikuluar edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.
“Prokuroria e Posaçme ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë katër kërkesa për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë akoma në proces shqyrtimi nga autoritetet arabe. Ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Unë e kam adresuar këtë problem në raport, ju takon autoriteteve të tjera për ta ndjekur në vijim”, ka pohuar ai.