Gjykata Kushtetuese vendos sot për ankimimin e qeverisë mbi pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë sot seancën paraprake për ankimimin e qeverisë mbi pezullimin e Belinda Ballukut nga GJKKO.

Në këtë seancë do të vendoset nëse çështja do të shkojë për gjykim, apo gjyqtarët do të lënë në fuqi vendimin për pezullimin e ish-zv.kryeministres.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata vlerësoi se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.

Duke u ndalur te pezullimi, GJKKO arsyeton se; “ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo, lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë. Me plotësimin e kushteve dhe kritereve si më sipër, Gjykata vlerëson se caktimi masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues/ndalues ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi është i domosdoshëm në plotësim të nevojave të sigurimit që kërkon hetimi i këtij procedimi penal.”