Gjykata e Tiranës pezullon shembjen e një tjetër pallati në rrugën “Myslym Keta”

Banorëve të pallatit 183/1 në rrugën “Myslym Keta  nuk do t’u prishen banesat e tyre të ligjshme, pasi gjykata administrative e Tiranës ka rrëzuar vendimin e Këshillit Bashkiak, me arsyetimin se banesat nuk janë dëmtuar aq sa për të rrezikuar jetën e qytetarëve.

Pallati u shpall i dëmtuar në një shkallë DS4 nga Instituti i Ndërtimit, por banorët arritën të kryejnë një ekspertim të pavarur që zbuloi se shkalla e dëmtimit është DS1.

Me përfaqësimin e avokatëve nga Qendra “Res Publica” ata arritën të gjejnë një sërë shkeljesh në procedurat që urdhëronin shembjen, mbi të cilat gjykata Administrative vendosi pezullimin e shembjes.

Lidhur me këtë ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i cili i bën thirrje SPAK që  të veprojë me urgjencë dhe të nxjerrë përgjegjësit ligjorë, se kush urdhëroi shembjen e pronave.

Sipas tij Erion Veliaj donte t’ua merrte qytetarëve dhe t’ua jepte oligarkëve zonën për të ndërtuar kulla.

Blushi fton qytetarët që Bashkia e Tiranës kërkon t’u shembë banesat të rezistojnë në mënyrë demokratike, të ndjekin rrugën ligjore dhe këtë shembull të banorëve tek Rr. “Mylsym Keta” duke mos lejuar paligjshmërinë t’u shkatërrojë dhe t’u rrëmbejë pronat e ligjshme.

Kujtojmë se më 19 dhjetor 2022, njëra shkallë e pallatit numër katër në rrugën “Myslym Keta” u shemb në orët e para të mëngjesit nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, e më pas vijoi shembja e tetë pallateve të tjera. Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë sigurimin e padisë për pezullim të procesit, pasi sipas tyre akti tanimë ishte konsumuar.

Postimi i plotë i Tedi Blushit:

Një lajm shumë i gëzuar: Me vendim gjykate, pezullohet shkatërrimi i pronave të ligjshme të qytetarëve nga Bashkia e Tiranës!

Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të kontrolluar mandatin e kaluar 100% nga “Rilindja” për shembjen e pallatit 183/1 në rrugën “Myslym Keta”.

Pallati u shpall i dëmtuar nga tërmeti nga Instituti i Ndërtimit, por banorët arritën të kryejnë një ekspertim të pavarur që zbuloi se shkalla e dëmtimit nuk justifikonte shembjen.

Qytetarët arritën të gjejnë një sërë shkeljesh në procedurat që urdhëronin shembjen, mbi të cilat Gjykata Administrative vendosi pezullimin e shembjes.

Një tjetër provë që vërteton paligjshmërinë e akteve barbare të Erion Veliajt ndaj pronave të ligjshme, gjoja për interes publik!

Tashmë me vendim gjykate faktohet se bërja pluhur e hi e banesave të qytetarëve, ka vetëm një qëllim për Erion Veliaj: rrëmbim të pronave të tyre për t’ua dhënë oligarkëve të ndërtimit për kulla shumëkatëshe!

Është koha që SPAK të veprojë me urgjencë dhe të nxjerrë përgjegjësitë ligjore: Kush urdhëroi shembjen e pronave të qytetarëve?

Partia e Lirisë i fton të gjithë qytetarët që Bashkia e Tiranës kërkon t’u shembë banesat të rezistojnë në mënyrë demokratike, të ndjekin rrugën ligjore dhe këtë shembull të banorëve tek Rr. “Mylsym Keta” duke mos lejuar paligjshmërinë t’u shkatërrojë dhe t’u rrëmbejë pronat e ligjshme.