Gjykata e Lartë ka rrëzuar dy rekurset e paraqitura nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Në njërën prej tyre ai kërkoi të shpallet i paligjshëm arresti në flagrancë ndaj tij. Ndërsa në rekursin tjetër Beleri kërkoi të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka legjitimuar përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës, ku tregohet se si Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi paguanin lekë për të blerë vota përpara zgjedhjeve.
Beleri qëndron në burg prej 12 Majit të këtij viti, kur u arrestua në flagrancë duke blerë votat e 8 qytetarëve. Ai ka kërkuar disa herë masa më të lehtë sigurie, por Gjykata nuk ka pranuar.