Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestrimin e pasurive të Pëllumb Gjokës, investitori strategjik i arrestuar në operacionin “Metamorfoza”

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për sekuestrimin e pronave të biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Biznesmenit i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, dhe dyshohet se këto sipërfaqe janë përfituar me anë të falsifikimit. Ndërsa SPAK nuk përfshiu në kërkesën e sekuestros pasuri të tjera në posedim të tij apo të personave të afërm, por tha se vijojnë hetimet. Pëllumb Gjoka njihet si pronar i një sërë pronave e objekteve me funksion shërbime, hoteleri apo lojëra fati.

Pëllumb Gjoka, i shpallur edhe investitor strategjik, u arrestua pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “Sky”.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Së bashku me të në dosjen “Metamorfoza” dalin edhe emrat e Safet Bajrit, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri dhe Vis Martinaj.