Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Nuk ka liri për ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, i cili kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.

Në kërkesën e tij, Veliaj shprehej se kërkonte zbutje të masës së sigurisë pasi ku ka asnjë mundësi që të prishë provat, pasi hetimet janë mbyllur dhe SPAK e ka dorëzuar dosjen në Gjykatë, ku pritet që GJKKO të marrë vendimin për nisjen apo jo të procesit gjyqësor.

Por për SPAK, Veliaj duhet të qëndrojë ende në burg, pasi jo të gjithë dëshmitarët kanë dhënë dëshminë e tyre para prokurorëve të posaçëm.

 Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga Ajola Xoxa.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhuteri dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj  Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.