Gjykata e Hagës lë në paraburgim Thaçin dhe Veselin: Rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor

Gjykata e Hagës ka vendosur që ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli do të vazhdojnë masën e paraburgimit.

Vendimi është marrë nga gjykatësi Charles L. Smith, III, nën arsyetimin se ekziston rreziku që ish-krerët e UÇK të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme ndaj kundërshtarëve të UÇK-së.

Mbi Thaçin dhe Veselin rëndon akuza e krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit në vitet 1998-1999 kur drejtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ata kanë kërkuar disa herë të gjykohen në gjendje të lirë, por kërkesa e tyre është refuzuar.

Procesi kundër ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi filloi në Hagë në 3 prill 2023. Rreth 312 persona pritet të dëshmojnë në procesin e tyre gjyqësor.