Gjykata e Elbasanit liroi Tahirin para kohe, Dumani: Ata që dënohen nga ne, nuk mund të trajtohen sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Ai tha se SPAK nuk ka bërë gjë tjetër veçse të përmbushë detyrimet kushtetuese si ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani tha se gjatë vitit 2023 ka patur kallëzime sa për tre vite së bashku, ndërsa ka një rënie nga kallëzimet që vijnë prej institucioneve. Kreu i SPAK përmendi edhe rastin e një funksionari të lartë të shtetit, duke iu referuar Saimir Tahirit, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme me 3 vite e 4 muaj burg dhe u lirua nga Gjykata e Elbasanit 1 vit e 8 muaj para kohe.

Dumani tha se ata që dënohen nga Gjykata e Posaçme nuk mund të trajtohen me një lehtësi sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Prandaj ai tha se këto raste duhet t’i shqyrtojë kjo gjykatë se sa do të ekzekutohen dënimet.

“Kompetencat e Gjykatës së Posaçme për të shqyrtuar ekzekutimet penale të të dënuarve duhet t’i kalojë Gjykatës së Posaçme. Sepse pa dashur t’i paragjykoj kolegët, por nuk mund të trajtohen ata që dënohen nga ne me një lehtësi sikur kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Flitet t’i shqyrtojë Gjykata e Posaçme dhe këtu kam parasysh lirimin e një ish funksionari nga një gjykatë tjetër që ndodhi para kohe”, tha ai gjatë fjalës në takim.

Duke folur për numrin e kallëzimeve, Dumani tha:

 “Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty. Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”.