GJKKO ndan dosjen “Metamorfoza”, pranon gjykim të shkurtuar vetëm për 4 të akuzuar

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndarë çështjen penale për dosjen “Metamorfoza”, dhe ka pranuar pjesërisht kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Në seancën e kësaj të mërkure, trupi gjykues i përbërë nga Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, vendosën që të pandehurit Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç do të gjykohen me procedurë të zakonshme, për shkak të akuzave më të rënda që rëndojnë mbi ta.

Ndërkohë, për ish-prokurorin Xhevahir Lita, Ardit Hasanbegajn, Astmer Bilalin dhe ish-shefin e Operacionales, Oltian Bistri, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke lehtësuar procedurat ndaj tyre.

Në seancën e radhës, më datë 19 maj, ora 15:00, Prokuroria e Posaçme do të japë konkluzionet përfundimtare për personat që do të gjykohen me procedurën e shkurtuar.

Ndaj të pandehurve rëndojnë akuza të rënda, si organizim vrasjesh, grupi i strukturuar kriminal, apo kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.