GJKKO jep masat e sigurisë për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, dy të ekstraduarit nga Dubai: Erdhëm vetë për t’u përballur me drejtësinë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Antikorrupsion (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Julian Mecajn dhe Plaurent Dervishajn, të ekstraduar nga Dubai.

Në seancën gjyqësore ka qenë i pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani. Seanca e sotme u ndërpre për pak minuta, pasi avokatët kërkuan të njihen me aktet hetimore dhe mënyrën e ekstradimit.

Ndërkohë Dervishaj dhe Meçaj kanë thënë sot para gjyqtares, se ata kanë ardhur vetë në Shqipëri që të përballen me drejtësinë.

Kujtojmë se ditën e djeshme, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat, tha se Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj ishin arrestuar në Dubai dhe se ishin ekstraduar në vendin tonë.

Por cilat janë ngjarjet kriminale për të cilat akuzohen dy të ekstraduarit?

Sipas policisë, më datë 26.02.2005, në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim  me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.

Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.

Ndërsa shtetasi Julian Meçaj akuzohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje në të cilën humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.