Është shtyrë sërish seanca në GJKKO ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, i i cili është i pandehur në lidhje me koncesionin e Sterilizimit.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e avokatit të Beqajt, Ermal Yzeiraj. Ndërkohë më herët, gjykata i ka caktuar Beqajt një avokat kryesisht, të cilin ish-ministri e ka refuzuar.
Beqaj, i cili ndodhet në burg për shkak të abuzimeve me fondet e BE në kohën kur drejtonte SASPAC, kërkoi që të përfaqësohet nga avokati Florian Bonjaku.
Ndërkohë pati edhe një debat me avokatin e caktuar kryesisht: “Ti që paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes time, hajde më tako te burgu”.
GJKKO vendosi shtyrjen me dy javë të seancës duke i dhënë kohë avokatit Florian Bonjaku që të njihet me aktet e dosjes.
Kujtojmë se në Janar të këtij viti, GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj Ilir Beqajt, i akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe të pandehurve të tjerë, mes tyre ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni që fitoi koncesionin, Ilir Rrapaj.