Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur sot në orën 14:00 për të dëshmuar në Gjykatën e Posaçme për çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani, pasi është i akuzuar për korrupsion pasiv.
Por nga selia e Partisë Demokratike, i pyetur nga gazetarët nëse do të paraqitej në GJKKO, ish-kryeministri nuk dha një përgjigje konkrete, por la të nënkuptohej se nuk do të shkonte deri në momentin që Kuvendit t’i paraqitej një kërkesë për marrjen e tij nën hetim.
Ai tha se nuk do ta shkelë Kushtetutën, teksa theksoi se është i gatshëm që të votojë ligjin që të mos ketë mbrojtje për deputetët.
“Për vendimet antikushtetuese. Se bëj për vete këtë. Siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin i cili vendoste barazinë e plotë mes çdo zyrtari dhe zyrtarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Rama. Jam gati ta votoj nesër. Përderisa ky ligj është në kushtetutë, nuk pranoj asnjë kompromis për shkeljen e tij. Po konsultohem me juristë.
Në çdo kohë jam i gatshëm të paraqitem për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë që nuk pranoj është të shkel kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë kushtetutën. Jam autori i ligjit që kjo mbrojtje të mos ekzistojë. Hajde të ndryshojmë kushtetutën, por ta menderosim kushtetutën. Piramida e trillimit, mashtrimit e falsifikimit do të shembet dhe u garantoj se nuk pengoj asnjë proces hetimor, gjyqësor, etj”, tha Berisha.