Gënjeshtra në CV detyron ministrin e Mbrojtjes në Rumani të dorëhiqet

Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionuț Mosteanu, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme, pasi pranoi se kishte dhënë informacione të pasakta në CV-në e tij lidhur me studimet. Dorëheqja vjen pas një artikulli të gazetës Libertatea, që evidentoi mospërputhje në datat dhe universitetin nga i cili kishte diplomuar Mosteanu.

“Rumania dhe Evropa janë nën sulmin rus. Siguria jonë kombëtare duhet të mbrohet me çdo kusht. Nuk dua që diskutimet rreth arsimimit tim të shpërqendrojnë ata që po udhëheqin vendin tani”, shkroi ish-ministri në Facebook.

Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën dhe ka përjetuar shkelje të vazhdueshme të hapësirës ajrore nga dronët rusë që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022. Vendit iu desh të përballej gjithashtu me problemet e minave në ujërat territoriale.

Mosteanu ishte pjesë e qeverisë së koalicionit pro-evropian që mori detyrën në qershor, pas përsëritjes së zgjedhjeve presidenciale të tensionuara. Zgjedhjet e mëparshme u anuluan në dhjetor për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse.

Kryeministri liberal Ilie Bolian falënderoi Mosteanun për pesë muajt në detyrë dhe njoftoi se Ministri i Ekonomisë, Radu Miruța, do të shërbejë si Ministër i përkohshëm i Mbrojtjes.