Gazment Bardhi reagon pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë për vulën e PD-së

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zbardhjes së plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë për vulën e PD-së.

Ai ka kërkuar që Gjykata e Apelit të veprojë menjëherë dhe t’i japë zgjidhje kësaj çështje që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur nga vetë demokratët. Sipas tij, çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë,

“Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që Gjykata e Apelit menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur nga vetë ne me vullnet e përgjegjshmëri politike.

Partia Demokratike e Shqipërisë është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë”, thuhet në reagimin e Bardhit.

Kujtojmë se  në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë ka kthyer në Apel vendimin e datës 3 mars, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë të parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike.

Rekursi në Gjykatën e Lartë u bë nga ana e “Rithemelimit”, e cila nuk pranoi kthimin e çështjes në Shkallën e Parë. Në këtë të fundit, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit, por vendimi i tij u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj.

Në Gjykatën e Apelit, vendimi i Zhukrit u shfuqizua dhe u vendos që çështja të rikthehej në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë. Tashmë fatin e çështjes do ta ketë sërish Apeli, por mesa duket vula dhe logo e PD-së do të mbeten për një kohë të gjatë “jetime”.