Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka prezantuar një propozim në Komisionin e Ligjeve, ku synohet të vendoset një standard për pensionin minimal, i cili të mos jetë më pak se 300 euro deri në vitin 2029.
Gjithashtu propozimi i tij kërkon që të heqë afatin kohor të tërheqjes së pensionit. Ligji aktual parashikon se një pensionist mund të lërë të pa tërhequr pensionin e tij deri në tre vite, ndërsa propozimi i Bardhit kërkon që afatet ligjore të hiqen dhe pensionisti ta tërheq atë kur të dëshirojë.
“Ndërhyrja në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme me qëllim që në 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 300 euro. Qeveria shqiptare i ka mundësitë financiare në rast se shpenzimet nuk shkojnë për lukse zyrash e tendera që pasurojnë oligarkët. Kjo mund të ndodh neqoftëse parat e qytetarëve mirë administrohen dhe nuk shkojnë për fatura që i fut ne xhep Belinda Balluku dhe shokët e saj të partisë. Pensioni nuk duhet kuptuar në asnjë rast si dhuratë apo mëshirë, por duke qenë se rrjedh nga kontribute shumëvjeçare, si një e drejtë e patjetërsueshme që ka çdo qytetar për të përballuar kostot e jetesës në vitet që nuk është aktiv për punë”.