Gazetari publikon pamjet e trishta nga Onkologjiku, gra që bëjnë kimioterapi të ulura në karrige

Gazetari Osman Stafa ka publikuar pamjet e trishta nga spitali i Onkologjikut ku disa gra bëjnë kimioterapi në kushte aspak normale.

Në një fotografi që Stafa e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, shihen 2 gra të cilat bëjnë kimioterapinë të ulura në karrige, edhe pse do të duhej ta bënin atë në kushte të mira dhe në privatësi.

Sipas gazetarit, terapia jepet ende me gravitet, një metodë e viteve ’80, e cila sjell rrezik mbidoze, nën-doze, bllokime dhe reaksione alergjike pa asnjë alarm paralajmërues.

“Kjo nuk është kimioterapi, është mbijetësë” – shkruan gazetari duke treguar edhe njëherë kushtet e shërbimit shëndetësor në Shqipëri, pavarësisht propagandës së qeverisë.

Postimi i gazetarit:

Kjo nuk është kimioterapi.

Kjo është mbijetesë.

📌Në Spitalin Onkologjik

Në vitin 2025, gratë që luftojnë kancerin trajtohen kështu: të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa privatësi, pa kushte minimale dinjiteti.

Asnjë shiringë elektrike.

Asnjë pompë infuzioni.

Kimioterapia jepet me gravitet, një praktikë e viteve ’80, me rrezik mbidoze, nën-doze, bllokimi, reaksione alergjike pa asnjë alarm. Jetë në rrezik për shkak të varfërisë teknike.

Asnjë port-cat.

Pacientët shpojnë venat çdo herë, me dhimbje, me rrezik ekstravazimi, me indet që digjen e shkatërrohen. Ndërkohë që në çdo vend normal porti vendoset që në fillim të trajtimit, për siguri, dinjitet dhe jetë.

Këto gra nuk po marrin trajtim.

Këto gra po durojnë një sistem që është dorëzuar.

Ky është realiteti i Onkologjikut sot.

Dhe çdo ditë që heshtet, pacientët trajtohet në kushte të papranueshme për një vend që pretendon të jetë europian.

Kjo nuk është historia e tyre.

Kjo është përgjegjësia e shtetit.