Gaza duhet të administrohet nga SHBA, Britania, Franca, Gjermania si modeli gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore

Nga Ruth Wasserman Lande “Jerusalem Post”

“Dita e parë pas luftës” duhet ta gjejë Hamasin në një gjendje kapitullimi. Dhe kjo nënkupton një çarmatim të plotë të organizatës dhe gjithë mbështetësve të saj. Çdo gjë më pak se sa kaq, mund të konsiderohet si një rikthim tek situata e “një dite më parë”.

Nëse kemi parasysh faktin se lëvizja e Hamasit përfshin rreth 30.000-50.000 terroristë aktivë të armatosur në Rripin e Gazës, në raport me gjithë popullsinë e Gazës prej rreth 2.7 milionë palestinezë, atëherë në listë përfshihen potencialisht shumë më tepër terroristë.

Kjo për arsyen e thjeshtë se Hamasi, ngjashëm me Vëllazërinë Myslimane dhe fraksione të tjera të këtij lloji, nuk është vetëm një lëvizje, por një mishërim i një ideologjie, e cila është rrënjosur thellë në zemrat e palestinezëve gjatë shumë viteve.

Është e vërtetë se jo të gjithë palestinezët në Gaza e mbështesin Hamasin. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata nuk janë domosdoshmërisht të interesuar të jetojnë në paqe krah për krah Izraelit. Leksionet në shkolla, predikimet e tyre në xhami dhe përmbajtja e tyre në media  përbëhen nga thirrje dhe nxitje ekstreme, duke lënë pak hapësirë ​​për të menduar në mënyrë të pavarur kur flitet fjalë për Izraelin dhe hebrenjtë.

Ndërsa vendet e tjera arabe kanë filluar tashmë procesin për ta bërë më gjithëpërfshirëse dhe tolerante përmbajtjen e teksteve nëpër shkolla, Bregu Perëndimor, Rripi i Gazës dhe Jordania kanë mbetur të palëkundur në refuzimin e tyre për të ndryshuar qoftë edhe një fjalë të vetme në këtë drejtim.

Kombet e Bashkuara i financojnë palestinezët përmes agjencisë UNRËA, ndërsa SHBA-ja i mbështet ata nëpërmjet USAID-it, Bashkimit Evropian, Kanadasë etj. Në teori, ata të gjithë financojnë mirëqenien e palestinezëve, por në praktikë, këto vende mund të mbështesin gjithashtu edhe prirjet ekstremiste.

Pas ngjarjeve të 7 tetorit, Bashkimi Evropian ka vendosur të ndalë financimin e Autoritetit Palestinez, duke filluar që nga viti 2024, për shkak të kuptimit të realitetit të lartpërmendur. Megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të sigurohemi që ajo që do të ushqejë mendjen e të rinjve palestinezë tani e tutje, të jetë krejtësisht e ndryshme nga përmbajtja ndaj të cilës ata janë ekspozuar deri më tani.

Kjo e fundit do të krijojë mundësinë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt në këtë rajon.

Pra, çdo zgjidhje që do të gjendet për Rripin e Gazës një ditë pas luftës, mund të shndërrohet në një dështim të tmerrshëm në rast se nuk do të mbështetet nga një ndryshim thelbësor i përmendur më lart.

Njëherazi, s’duhet të ketë më një situatë ku vetëm një gardh apo një mur i ndan qytetarët izraelitë nga banorët e Rripit të Gazës. Në realitetin e ri, duhet të krijohet një rrip sigurie, i ngjashëm me atë që ekziston në anën egjiptiane të kufirit të saj të përbashkët me Gazën.

Çdo lëvizje në zonën në fjalë duhet të monitorohet me shumë kujdes. Asnjë vend sovran nuk mund të pranojë praninë e elementeve armiqësorë në kufijtë e tij, ndaj është e paarsyeshme të pritet që shteti i Izraelit të durojë një realitet kaq ekstrem. Pas nënshtrimit të Hamasit, nuk duhet të supozohet se Izraeli do të qëndrojë në Rripin e Gazës për një kohë të gjatë.

Është ende e rëndësishme të kujtojmë se ideologjia e Hamasit nuk e kërcënon vetëm Izraelin. Ajo përbën një kërcënim për të gjithë botën e zhvilluar, ndaj është e përshtatshme të shqyrtohet trajtimi i stabilizimit të Rripit të Gazës të nesërmen e pasluftës nga një prizëm i gjerë dhe jo thjesht lokal.

Po ashtu është e qartë se në Gazën e pasluftës, duhet të vendoset një sovran i ri i përkohshëm, i cili nuk duhet të jetë as Hamasi dhe as udhëheqja radikale islamike sunite, Fatah Al-Islam, siç sugjerohet nga disa zyrtarë të lartë në arenën ndërkombëtare.

Së pari, presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abaz ka deklaruar tashmë se nuk është i interesuar të mbajë përgjegjësi për Rripin e Gazës. Është e vështirë ta fajësosh atë për këtë qëndrim, duke pasur parasysh se në vitin 2006, pas tërheqjes së trupave izraelitë nga Rripi i Gazës dhe ardhjes në pushtet të Hamasit në zgjedhjet demokratike, aktivistët e kësaj të fundit linçuan kolegët e tyre palestinezë që i përkisnin Fatahut.

Së dyti, ka shumë trazira edhe në Bregun Perëndimor, gjq që e bën të pamundur qeverisjen e Gazës në mënyrë paqësore përkrah Izraelit – të paktën për momentin. Pa e zhdukur këtë urrejtje, nuk mund të pritet që Bregu Perëndimor të udhëheqë si një entitet i qëndrueshëm dhe paqësor përkrah Izraelit.

Së treti, duke pasur parasysh përpjekjet sistematike të Iranit për ta rrënjosur ideologjinë e tij ekstreme edhe tek të rinjtë në Bregun Perëndimor, Hamasi është forcuar edhe atje vitet e fundit, krahas Xhihadit Islamik dhe lëvizjeve të tjera ekstreme që nuk e durojnë dot më lidershipin e korruptuar të Fatahut në Bregun Perëndimor, duke e bërë të gjithë atë zonë të pasigurt dhe jo pa ndikimin e rrymave ideologjike ekstreme.

Prandaj, Gaza duhet të ndahet në disa pjesë, ku çdo pjesë të menaxhohet nga një organ tjetër ndërkombëtar, që nuk është OKB. Menaxhimi nuk duhet të jetë i orientuar vetëm drejt sigurisë, por edhe aspekteve civile dhe logjistike, i ngjashëm me mënyrën se si u menaxhua Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

Sepse krimet e kryera nga terroristët e Hamasit kundër civilëve më 7 tetor, nuk janë në thelb të ndryshme nga ato të kryera nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëse ushtria izraelite nuk do t’i kishte ndalur terroristët, sulmi i tyre do të shtrihej shumë më përtej se sa gjatë asaj që hyri në histori si Shabati i Zi.

Prandaj, ne dhe bota duhet ta trajtojmë menaxhimin e Rripit të Gazës me një shkallë ashpërsie të ngjashme me atë që iu rezervua Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë drejtim, SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania duhet të jenë organet që do të mbajnë përgjegjësinë e qeverisjes së Rripit të Gazës.

Vetëm pas stabilizimit të tij të këtij territori, dhe pas një dekade, atje mund të zhvillohen zgjedhjet për një lidership palestinez të moderuar. Deri atëherë, asnjë punonjës palestinez nuk duhet të hyjë në territorin izraelit. Katër vendet e sipërpërmendura duhet çmontojnë kampet e refugjatëve që kanë ekzistuar prej 75 vjetësh, pavarësisht se ato janë nën sundimin autonom palestinez.

SHBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania mund të punojnë bashkë për të krijuar burime të qëndrueshme të ardhurash dhe për të diversifikuar mundësitë e punësimit, si dhe për zgjidhur problemin e strehimit për banorët e Rripit të Gazës.

Edhe pse është shumë e vështirë të mendohet për një zgjidhje për Rripin e Gazës pa zgjidhur të gjithë çështjen palestineze, në këtë fazë dhe derisa të stabilizohet Rripi i Gazës, nuk është e mundur që të lidhen këto dy entitete gjeografike, si në aspektin e udhëheqjes ashtu edhe në aspektin e udhëheqjes nga pikëpamja praktiko-gjeografike.

Prandaj, në këtë fazë, unë nuk do të merrem me dhënien e një përgjigje gjithëpërfshirëse për kauzën e gjerë palestineze. Sidoqoftë, në çdo skenar të mundshëm, menaxhimi i ardhshëm i Gazës do të jetë një shembull për trajtimin e Hezbollahut në Liban, palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe të gjithë çështjen e bashkëjetesës midis arabëve dhe hebrenjve brenda shtetit të Izraelit.

Forcimi i sigurisë së brendshme në vend dhe zbatimi i rreptë, sistematik dhe i barabartë i rregullave për të gjithë qytetarët e vendit do të jetë kusht për këtë, përfshirë mbledhjen pa kompromis të të gjitha armëve ilegale në Izrael dhe çrrënjosjen e krimit dhe dhunës në shoqërinë arabo-izraelite.

Nuk duhet të jetë më e mundur të shpërfillet fakti që një infrastrukturë kriminale e pakontrolluar brenda kufijve të Izraelit, përbën një terren pjellor për promovimin e interesave të huaja nga Irani dhe organizatat terroriste që mbështeten prej saj.

Shënim: Ruth Wasserman Lande, ish-deputete në parlamentin izraelit nga Partia Blu dhe e Bardhë dhe ish-këshilltare e presidentit izraelit Shimon Peres.