Gara për kreun e ri të SPAK/ Ambasadori i Gjermanisë: Procesi duhet të jetë transparent

Me hapjen e aplikimeve për drejtimin e ri të SPAK, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, vlerësoi punën e kreut aktual Altin Dumani, duke e cilësuar kontributin e tij si të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ambasadës, Bergner theksoi se procesi i zgjedhjes së pasardhësit të Dumanit duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimet e jashtme, duke e cilësuar këtë si një kriter kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

‘Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë. Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm. Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, thuhet në postim.

Gara për drejtimin e SPAK, e çelur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në prani të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, do të qëndrojë e hapur deri më 8 tetor.

Mandati i Altin Dumanit përfundon më 18 dhjetor.