Frikë nga konflikti me Hamasin, 11 shqiptarë rikthehen nga Izraeli në orët e para të mëngjesit

Konflikti Izrael-Palestinë ka agravuar edhe më shumë ditët e fundit, ndaj ditën e sotme, 11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit nga Izraeli në Shqipëri, përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka njoftuar se është në kontakt me të gjithë shtetasit shqiptarë, që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Izrael.

Lufta mes Izraelit dhe Palestinës ka sjellë humbjen e jetës për më shumë se 1500 njerëz, mes tyre edhe 200 fëmijë, ndërkohë që shifrat vijojnë të rriten.

Reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:

“11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.”