Fotot/ “Shëndetësia Falas” tek Onkologjiku: Të sëmurët me kancer presin me orë të tëra në diell për të marrë shërbim

Edhe pse “Shëndetësia Falas” në vendin tonë promovohet çdo ditë nga qeveria, realiteti në spitalin Onkologjik të Tiranës është i trishtë.

Përveçse shpesh janë denoncuar mungesa e pajisjeve, mungesa e ilaçeve, sjellja e një pjese të personelit mjekësor etj., e gjithë Shqipëria është  me një “spital onkologjik” (që ofron shërbime të tipit paliativ) i përqendruar vetëm në Tiranë.

Të gjithë përplasen aty që nga jugu ne veri, duke shkaktuar kaos, mungesë sherbimi nga mbingarkesa e mbi të gjitha pacientët nuk marrin shërbimin që i’u nevojitet. 

Gazetari Osman Stafa ka publikuar dy foto të bëra dje tek ky spital në QSUT ku shihen njerëzit, të cilët edhe pse të sëmurë presin në radhë të bëjnë kimioterapi, radioterapi, apo kanë vizita.

“Presin në këmbë për orë të tëra. Në diell apo në shi, në vapë e në të ftohtë. Kjo është fillesa e kalvarit të tyre. Pasi në Onkologjik përballen me mungesë ilaçesh kimioterapie, ose nuk punojnë pajisjet të cilat kanë funksion jetëshpëtues në luftën me sëmundjet e këqija.

Prej vitesh kjo situatë ka qënë e tillë dhe vazhdon e tillë. Këta njerëz përveç se duhet të përballen me një “përbindësh” që është brenda tyre, do duhet të bëjnë edhe një luftë për të mundësuar ilaçe dhe jo vetëm kaq, por trajtohet në mënyrë aspak dinjitoze, duke i lënë në këmbë, njerëz që mezi rrinë në këmbë”, shkruan gazetari.