FOTOLAJM/ Banorët e Hotolishtit me arkivol në protestë, përplasje të forta me policinë

Banorët e Hotolishtit kanë dalë sot në protestë pasi kundërshtojnë projektin e zgjerimit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII, i cili sipas tyre kërcënon të shkatërrojë shtëpitë, tokat dhe jetën e komunitetit.

Ndërkohë ata kanë propozuar që të ndërtohet një tunel, i cili do të kishte një ndikim minimal në jetën e komunitetit dhe mjedisit.

Në shenjë simbolike disa prej banorëve kanë sjellë me vete edhe një arkivol ndërsa në pankarta shkruhet: Jemi gati të përgjigjemi! Ose ne, ose ju!

Në disa momente protesta u tensionua pasi pati përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Shqetësimi më i madh i banorëve lidhet me procesin e shpronësimeve, që sipas tyre është në vlera qesharake dhe nuk pasqyron vlerën reale të pronave të tyre.

Protestuesit ndër të tjera kanë paralajmëruar se nuk do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit nëse nuk merret një vendim i drejtë dhe transparent për projektin.