Një operacion blic në Shkodër shtëpinë e të shumëkërkuarit Eljon Hato ka përfunduar me vrasjen e njërit qen dhe plagosjen e qenit tjetër të familjes.
Operacioni i organizuar nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për arrestimin e Eljon Hatos ka dështuar, pasi efektivët nuk gjetën asnjë në shtëpi, por fundin tragjik e ka gjetur kafsha besnike që po ruante shtëpinë e familjes Hato.
Gjatë aksionit Gjatë aksionit për kapjen e Hatos, policia ka hyrë në ambientet e oborrit dhe shtëpisë, por është përballur me qëndresën besnike të dy qenve që ndodheshin në shtëpi. Policia nuk ka pritur të vinin të zotët e shtëpisë dhe të lidhnin qentë, por ka hyrë duke përdor armët, raporton gazetari Elton Qyno.
Ndërkohë, vëllai i Eljon Hatos është paraqitur në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Shkodër, duke kallëzuar veprimet e policisë dhe FNSH, për vrasjen e njërit qen, plagosur qenin tjetër dhe shkatërruar shtëpinë. Ai akuzon shefin e komisariatit të policisë së Shkodrës, Idriz Daulle, si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar familjen Hato.
Eljo Hato, rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në muajin Korrik 2023, gjatë operacionit “Metamorfoza”. Ai akuzohet për ngjarjen e vitit 2019, për tentativën e vrasjes së Taulant Pepaj në Shkodër.