Faqja zyrtare u sulmua nga “Homeland Justice”, reagon Kuvendi i Shqipërisë: Tentuan të fshijnë të dhënat

Ditën e djeshme hakerat iranianë të “Homeland Justice” njoftuan se kishin hakuar edhe faqen zyrtare të Kuvendit, teksa shkruanin se uzurpuesit e korruptuar të atyre karrigeve do të paguajnë shumë shpejt.

Sot, përmes një reagimi zyrtar, Kuvendi i Shqipërisë pranon sulmin e kryer si dhe bën me dije se është synuar ndërhyrja në infrastrukturë dhe fshirja e të dhënave të faqes.

Kuvendi informon qytetarët se nuk janë prekur të dhënat në sistem.

“Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.

Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.

Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.

Për sa më sipër, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.