Policia ka arrestuar 2 persona në Tiranë, të cilët falsifikuan 60 bileta për ndeshjen Shqipëri – Çeki dhe i shitën me çmime deri në 400 euro. Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara
Bëhet me dije se në pranga kanë rënë Albano Osmani dhe Sokol Arapi, të dy banues në Tiranë.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rastit të shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime shumë të larta, me anë të mashtrimit, që u godit ditën e djeshme, kanë vënë në pranga 2 nga shtetasit që ishin në hetim për këtë rast, konkretisht:
A. O. dhe S. A., të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dhe i kanë shitur ato me çmime deri në 400 euro. Pasi qytetarët kanë paraqitur këto bileta, për të hyrë në stadium, janë krijuar probleme teknike sepse biletat ishin të dubluara. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.