Ervin Salianji humbi mandatin pas dënimit me burg, Kuvendi njofton KQZ për vakancën

Kuvendi ka njoftuar KQZ në lidhje me vakancën e krijuar pasi Ervin Salianjit iu hoq mandati i deputetit, pas dënimit më 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Përmes një shkresë zyrtare, Kuvendi i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të vijuar me procedurat, për plotësimin e vakancës.

KQZ tashmë, duhet të plotësojë këtë vakancë duke i dhënë mandatin kandidatit të radhës në listën shumemërore të PD-së në qarkun e Korçës. Burime për mediat bëjnë me dije se do jetë Andrea Mano, që do të zërë vendin e Salianjit në Kuvend.

“I nderuar Z. Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,

Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit të mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salianji, për shkak të dënimit të tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, njoftuar në seancën plenare të datës 30.9.2024.

Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës”, thekson Kuvendi.