Erion Veliaj mbetet në burg, SPAK paraqet në gjyq provat e reja

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg kryebashkiakun Erion Veliaj, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Avokatët e kryebashkiakut kanë kërkuar ndryshim mase, duke ofruar edhe garanci pasurie, por kjo kërkesë u rrëzua nga GJKKO.

Në seancën e mbajtur sot në GJKKO, SPAK paraqiti provat e reja në lidhje me hetimet 2 mujore ndaj Veliajt. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por u përfaqësua përmes mbrojtjes të tij.

SPAK solli si provë të re apartamentin në zonën e “Kodrës së Diellit’, që dyshohet se i përket kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.

Erion Veliaj u prangos më 10 shkurt me urdhër gjykate, ndërsa ka kundërshtuar disa herë publikisht akuzat. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, por vetëm pak javë më parë pozita e tij u rëndua, ku sipas SPAK, akuzohet edhe për fshehje pasurie.

Ndërkohë, më datë 8 korrik, në orën 12:00, kërkesa e Veliaj për ndryshim të masës së sigurisë do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Relatore e çështjes do të jetë gjyqtarja Albana Boksi.