Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të gjykatës së Apelit të Posaçëm që e la në burg.
Rekursi në Gjykatën e Lartë është dorëzuar nga avokatët e tij, përmes postës. Veliaj kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.
Kujtojmë se Erion Veliaj ndodhet në burg që prej muajit shkurt ndërsa u prangos brenda zyrës së tij në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ndaj së cilës u vendos fillimisht “arrest shtëpie” ndodhet në masën “detyrim paraqitje”. E njëjta masë u vendos edhe për 5 biznesmenët: Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Me urdhër të SPAK u arrestu edhe biznesmeni Elman Abule, i akuzuar për korrupsion. Por Gjykata zbuti më pas masën e sigurisë ndaj tij, duke e lënë në “arrest shtëpie”.