EMRI/ Vrasja e postierit në Kamëz, policia arreston një person, dyshohet si bashkëpunëtor në krim

Policia ka arrestuar një person lidhur me vrasjen e postierit, Lulzim Visha, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Zall Mner të Tiranës.

Mësohet se në prangat e policisë ka rënë Eduard Lami, i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Ai është kushëriri i Ervis Lamit, personit që inicioi planin e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës. Ervis Lami ndërkohë është shpallur në kërkim nga policia.

“Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë  i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”. Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç. Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi  E.L 37 dhe E.L 31 vjec”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Vrasja e 48 vjeçarit u regjistrua mëngjesin e së premtes teksa viktima ishte nisur në punë. Ai punonte si postier pranë një poste private. Trupi i tij i pajetë u gjet brenda maakinës së punës nga kalimtarë të zonës, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë.

Ende nuk dihen motivet e krimit, teksa dy janë pistat ku po hetohet. Hakmarrja, pasi vëllai i Vishës ka vrarë një person në vitit 1997. Pista tjetër janë konfliktet që ai ka pasur me persona të tjerë gjatë muajve të fundit.