Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që u regjistrua sot në Gjykatën e Apelit, ku një person, i identifikuar si Elvis Shkambi, alias Gjon Shkambi qëlloi me armë zjarri gjykatësin Astrit Kalaja, i cili humbi jetën në spital për shkak të plagëve të marra.
Paraprakisht dyshohet se krimi që tronditi sot Drejtësinë ka ardhur lidhur me detyrën e gjyqtarit Kalaja, për një çështje prone.
Ndërkohë të plagosur kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Tirana u trondit pasditen e kësaj të hëne, ku autori i armatosur ka arritur që të futet brenda Gjykatës së Apelit dhe të qëllojë me armë zjarri drejt gjyqtarit Kalaja, i cili humbi jetën në spital.
Ndërkohë autori është arrestuar menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Nga policia nuk ka ende një njoftim zyrtar lidhur me vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e dy të tjerëve.