Një 24-vjeçar është arrestuar gjatë orëve të fundit pasi përmes postimeve në rrjetin social TikTok, bënte thirrje për akte dhune, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.
I riu Devis Farruku, 24 vjeç, banues në Sukth, Durrës, u ndalua për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Në njërën prej videove, ai ftonte publikisht ndjekësit të shikonin një akt dhune ndaj një makine të policisë, duke kërkuar reagime ekstreme nga qytetarët.
“Në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës (Stacioni i Policisë Manzë), u kap dhe u shoqërua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në një prej videove, ky shtetas u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.
Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet” thuhet në njoftimin e policisë.