Një i dënuar është gjetur pa shenja jete në ambientet e burgut të Lezhës mëngjesin e kësaj të mërkure, 25 qershor 2025.
Bëhet fjalë për Allush Hysën, i cili ishte arrestuar që prej janarit të 2014-ës për plagosje të rëndë.
Hysa vuante masën mjekësore të “mjekimit të detyruar” që prej datës 27.11.2021, në zbatim të një vendimi gjyqësor. Ai ishte i diagnostikuar me epilepsi, çrregullim të sjelljes dhe prapambetje mendore.
Njoftimi:
Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë, mëngjesin e sotëm, më datë 25.06.2025, rreth orës 07:00, është konstatuar pa puls i dënuari Allush Hysa, i datëlindjes 12.09.1989.
I dënuari ndodhej në dhomën nr. 3, kati i parë, godina nr. 5 dhe vuante masën mjekësore “mjekim i detyruar”, që nga data 27.11.2021, në zbatim të vendimit gjyqësor. Ai ishte i diagnostikuar me epilepsi, çrregullim të sjelljes dhe prapambetje mendore.
Referuar dosjes, Hysa ishte arrestuar më 23.01.2014 për veprën penale të “Plagosjes së rëndë”.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së shenjave jetësore, janë njoftuar SHKBSB, Prokuroria e Rrethit, komisariati i Policisë dhe familjarët.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllime familjes Hysa.