Detaje të reja janë zbuluar nga krimi makabër në Fier, ku një 26 vjecare vrau babanë e saj, Anesti Rama.
Mësohet se në pranga ka rënë shoku i 26 vjecares, Clirim Dogani 55 vjec, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me Ermalinda Ramën në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Më herët për krimin u arrestuan Ermalinda Rama dhe nëna e saj, Valbona Rama, e cila ka kryer veprime për fshehjen e vrasjes së kryer nga vajza e saj. Kujtojmë se të dyja e denoncuan në polici ngjarjen si aksidentale.
Ato pretendonin se Anesti ishte rrëzuar në tualet aksidentalisht dhe, si pasojë e dëmtimeve të marra, kishte humbur jetën.
Por ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës provoi të kundërtën dhe u zbulua se 56-vjeçari ishte mbytur me tel.
Njoftimi I policisë:
Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.
Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.