EMRI/ Këshilli i Ministrave emëron Drejtorin e ri të Tatimeve

Ilir Binaj është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Vendimi është marrë ditën e sotme, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Më herët në krye të Tatimeve ishte Ceno Klosi, i cili në qershor të këtij viti dha dorëheqjen ndërsa u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar nga Belinda Balluku.

Ilir Binaj zëvendëson në këtë detyrë Elidjana Celajn, e cila ishte e komanduar pas dorëheqjes së Ceno Klosit.

Kujtojmë që në mbledhjen e sotme qeveria miratoi po ashtu kandidaturën e Ilir Prodës, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Njoftimi:

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2024: Vendimi për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të tatimeve: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të   ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi: 1. Z. Ilir Binaj emërohet drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!