Emri/ Ishte i dënuar me 10 vite burg për vrasjen e klientit, arrestohet biznesmeni 

Një biznesmen 39 vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi rezulton i dënuar për vrasjen e Asllan Kërtushës, ngjarje e ndodhur në vitin 2016.

Në pranga ka rënë Gëzim Kajno, i dënuar me 10 vite burg, për vrasjen e Kërtushës në lokalin e tij, pasi ky i fundit ishte i dehur dhe shqetësonte klientët dhe nuk pranonte të largohej nga lokali.

Policia sqaron se nga 10 vjet Kajnos i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet burg.

“Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet.

Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin A. K”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Si ndodhi vrasja

Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 1 Mars 2016 në lagjen 17 të qytetit, e njohur ndryshe si hyrja e Durrësit.

Gëzim dhe Bledar Kajno, të afërm me njëri-tjetrin, janë përplasur fizikisht me shtetasin Asllan Kërtusha, pasi ky i fundit në gjendje të dehur po bënte rrëmujë në lokalin e autorit të krimit.

Ata kanë tentuar ta nxjerrin me forcë jashtë ambienteve të lokalit dhe në atë moment Asllan Kërtusha ka kapur për fyti Gëzim Kajnon, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe pa dashje ka plagosur Bledar Kajnon.

Në këto kushte, biznesmeni e ka ndjekur për disa metra Asllan Kërtushën dhe në momentin që ky i fundit po tentonte të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, e ka qëlluar disa herë me shkelma dhe më pas e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.