EMRI/ I dënuar në Itali për tentativë vrasje e trafik droge, i sekuestrohen pronat në Tiranë

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e Valter Duros , i arrestuar në Itali për ‘Vrasje me paramendim’ mbetur në tentativë dhe ‘Prodhim e shitje narkotikësh’.

Konkretisht janë sekuestruar një apartament në Tiranë dhe dy llogari bankare. Prokuroria thotë se hetimet kanë nxjerrë dyshime se këto pasuri janë fituar si rezultat i aktiviteteve kriminale të Duros, veçanërisht në lidhje me trafikun e narkotikëve.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit me tre emra, V.D. alias E.D. alias E.D. dhe familjarëve të tij, i arrestuar në Itali për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Pas kërkesës së Prokurorisë, janë sekuestruar një apartament në Tiranë dhe dy llogari bankare të regjistruara në emër të shtetasit dhe familjarëve të tij, pasi është konstatuar se vlera e këtyre pasurive nuk mund të justifikohet nga të ardhurat e ligjshme të tyre.

Hetimet kanë nxjerrë dyshime se këto pasuri janë fituar si rezultat i aktiviteteve kriminale të shtetasit V.D., veçanërisht në lidhje me trafikun e narkotikëve.

Në vitin 2005, ndaj shtetasit V.D. ishte shpallur kërkimi ndërkombëtar për vrasje dhe trafik narkotikësh, por kërkimi u anulua pasi ai u arrestua në Itali. Sipas hetimeve të Prokurorisë, pasuria e pajustifikueshme është drejtpërdrejt në pronësi të shtetasit V.D. dhe nënës së tij.

Për të parandaluar krimin e organizuar dhe pastrimin e parave nga aktivitete kriminale, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:

Pasuria e paluajtshme: Apartamenti Nr. 214/342+1-46, Zk. 3866, Vol. 76, fq. 62, në Tiranë.

Llogaria bankare 1: Gjendje aktuale prej 1,097,636.86 lekë.

Llogaria bankare 2: Gjendje aktuale prej 1,601,434.50 lekë.