EMRAT/ Zbulohen 4 kandidatët që do të garojnë për kryetarin e ri të SPAK

Kanë mbetur edhe 3 ditë nga afati i fundit që KLP vendosi për dorëzimin e platformave për prokurorët që duan të kandidojnë për kreun e ri të SPAK, dhe tashmë janë mësuar 4 emrat e parë, që me shumë gjasë do të jenë edhe të vetmit.

Klodian Braho është prokurori i parë që ka dorëzuar platformën në KLP, i cili mban aktualisht detyrën e Shefit të Korrupsionit dhe “Shpërdorimit të Detyrës” në Prokurorinë e Posaçme.

Ndërkohë, pritet që kandidaturat t’i dorëzojnë edhe tre prokurorë të tjerë: Adnand Xholi, i cili aktualisht  mban postin e zv/drejtuesit të SPAK; Elvin Gokaj që shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu që është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.

Kjo e fundit bëhet e para femër që kandidon për të qenë në krye të prokurorisë më të rëndësishme në vendin tonë. Në CV-në e saj janë hetimet për dosjet “Çopja” dhe “Plumbi i Artë”. Musabelliu është prokurorja që sipas dëshmisë së Artan Tafanit është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për tu eleminuar, pasi shkak ka qenë hetimi i saj për masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.

Drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet nga vota e 11 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe do të ketë një mandat 3 vjeçar, pa të drejtën e rikandidimit.

Kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme do të jetë i treti në detyrë që prej krijimit të këtij institucioni, pas Arben Krajës dhe Altin Dumanit, me këtë të fundit që i përfundon mandati në dhjetor të këtij viti.

Për qytetarët shqiptarë, SPAK është institucioni më i besueshëm, pasi vitet e fundit ka çuar para drejtësisë zyrtarë të lartë të politikës që nuk mendohej se do të jepnin ndonjëherë llogari për korrupsionin ndër vite.