EMRAT/ Vodhën klientët e agjencisë turistike ku punonin, arrestohen dy të rinjtë në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy punonjës të një agjencie turistike pasi kanë mashtruar klientët, duke përfituar rreth 15 mijë euro.

Policia njofton se dy punonjësit, Kleo Kariqi dhe Redi Hambari, kanë marrë para nga klientët për të kryer rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por si përfundim u kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.

Dy të rinjtë akuzohen për veprat: “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Travel”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Ndalohen 2 shtetas, punonjës të një agjencie turistike, pasi dyshohet se kanë përfituar rreth 15 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Travel”. Si rezultat i operacionit u ndaluan shtetasit:

K. K., 22 vjeç, dhe R. H., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga nenet 143/2-25, 180 dhe 181 të K. P.

Këta shtetas dyshohet se kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar, pasi iu kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë” njofton policia.