EMRAT/ Shqiptarët kamufloheshin si turistë dhe shpërndanin drogë në Mykonos, arrestohen nga policia greke

Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke pas akuzohen se prej muajsh shpërndanin drogë në ishullin e famshëm të VIP-ave, Mykonos.

Të arrestuar janë Kadri Duzha, 22 vjec nga Cërriku dhe me leje qëndrimi italiane dhe Besnik Gjini 43 vjec, banues në Mykonos.

Një person tjetër është shpallur në kërkim, për të cilin policia disponon vetëm numrin grek të telefonit.

2 shqiptarët kishin marrë përsipër shitjen tek blerësit, ndërsa personi i shpallur në kërkim, koordinonte shitjet, duke komunikuar me klientët potencial përmes aplikacioneve online.

Mediat greke bëjnë me dije se ai ka informuar për çmimet dhe llojin e substancave, duke dërguar një listë çmimesh përkatëse, ndërsa ka specifikuar edhe veshjet e transportuesve në mënyrë që ato të identifikohen lehtësisht.

Të arrestuarit vepronin në një mënyrë specifike veprimi (modus operandi).

Për kalimin e tyre në vendin ku kryheshin blerjet dhe shitjet, përdornin motoçikleta që i merrnin me qira afatshkurtër nga një kompani në Mykonos, të cilat i ndërronin shpesh dhe për të mos rënë në sy kanë përdorur veshje turistike (rroba banjo, këmishë e hapur), si dhe një kaskë mbrojtëse, ndërsa për të shmangur identifikimin e tyre, ata transportonin drogën brenda paketimeve të tabletave farmaceutike.

Policia gjeti gjatë kontrollit fizik dhe të banesave të dy shqiptarëve rreth 14 gram marijuanë, rreth 30 gram kokainë, mbi 10 gram 2-CB, rreth 12.5 gram MDMA, 21 tableta Ecstasy, 3 celularë, 1644 euro, 2 motocikleta të marra me qira.