Emrat/ ‘Bashkëpunim’ me grupet që kultivojnë kanabis, pezullohen 5 punonjës policie në Pukë dhe 8 në Vlorë

Pesë punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Pukë dhe 8 në Vlorë, pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë krijuar lidhje me grupet që kultivojnë kanabis.

Kështu në Pukë është pezulluar komisari Edmond Pepkolaj, Inspektori Alfred Ndoj, Zamir Mehaj  oficer i Patrullës së Përgjithshme në Pukë, Petrit Florini ndihmësspecialist për informacionin policor dhe arkivën kriminale dhe Fatmir Alia oficer i Patrullës së Përgjithshme në Pukë.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka ardhur pasi dyshohet se këta oficerë policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për ushtrimin e kontrollit të territorit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërsa të tjerë janë pezulluar në Vlorë. Zbulimi i një parcele me hashash brenda një fushe me misër në Vlorë,ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, duke marë masa administrative për pezullimin e disa punonjësve nga ushtrimi i detyrës.

Ditën e sotme me firmën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, janë pezulluar disa Specialistë Policorë të Zonës, ku është gjetur parcela me drogë.

Njëkohësisht pezullimin nga detyra i është bërë disa shefave të krimeve të komisariatit të Vlorës.

Rasti i zbulimit të drogës në Vlorë, solli rastin e parë në këtë sezon të kultivimit të hashashit në këtë qark.

Pritet që tashmë situate ndaj 8 punonjësve të ndiqet nga Drejtoria e Disiplinës në Policinë e Shtetit dhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore.