Një atentat ka ndodhur pranë Bashkisë së Shkodrës, ku u qëllua me breshëri plumbash në një lokal pranë shkollës “Kolë Idromeno”.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën Armando Pali ish-punonjës i IMT-së dhe Lirodon Kraja ndërsa dy persona u plagosën, përfshirë Erogen Vaso (alias Erogen Brajoviç) dhe një gru.
Shënjestra e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç, i cili është një emër i njohur për policinë. Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale.
Në vitin 2023, ai doli si pjesë e grupit kriminal të Bajrave në Shkodër. Policia po heton pistën e përplasjes mes grupeve kriminale.