Një tjetër atentat ka ndodhur në vendin tonë, këtë herë në Dukagjin, ku ka humbur jetën Zef Guri dhe është plagosur rëndë djali i tij, Gjin Guri.
Autorë ende të paidentifikiar kanë qëlluar drejt tyre me kallashnikov dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Gjin Guri është një person me precedent penalë, pasi në vitin 2015 ka shkëmbyer edhe zjarr me skuadrën e Policisë. Ai ishte dënuar me vendim të formës se prerë më 7 vjet e dy muaj burg për “Prodhim dhe mbajtie pa leje të Armëve luftarake” dhe “Kanosje”.
Ndërsa në vitin 2021 atij i kanë vendosur tritol në lokalin që ka në pronësi.
Policia ka rrethuar zonën dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G.
Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma.
Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër.